Caktohet paraburgimi për grabitje

Caktohet paraburgimi për grabitje

10 dhjetor 2018 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit pas zgjerimit të hetimit edhe ndaj të pandehurit S.G, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se :

Me datë 30.11.2018, rreth orës 01:50 min, në fshatin Isniq, Komuna Deçan, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurit A.N, M.N dhe XH.TH, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme me kanosje serioze për të sulmuar jetën dhe trupin e personit tjetër, kanë përvetësuar pasurin e luajtshme në atë mënyrë që pasi pajisen me maska dhe armë e dorëza, e thyejnë derën e depos ndërtimore dhe depërtojnë brenda, i pandehuri M.N e godet rojën e depos dhe e lidhin me kabllo elektrike, nga ku marrin një telefon dhe nga arka marrin pazarin ditorë në vlerë prej 1.500 euro, e pastaj e mbyllin dhe largohen nga aty.

 

Me këto veprime i pandehuri S.G dyshohet se si bashkëkryes ka kryer veprat penale grabitje dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

 

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

 

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

 

Bashkëkryesve A.M, M.N dhe XH.TH, iu është caktuar paraburgimi me datë 03.12.2018 ndërsa, S.G deri tani ka qenë në arrati.