Caktohet masa e paraburgimit për vepër penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge

Caktohet masa e paraburgimit për vepër penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge

31 Korrik 2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.P, B.P, I.H, XH.H, L.M, dhe A.R për shkak të dyshimit të bazuar se :

Në periudhën kohore nga 08.05.2019 – 22.07.2019, në qytetet e ndryshme të Kosovës, në Pejë, Prizren, Prishtinë, Klinë, Ferizaj etj. duke bashkëvepruar me njëri – tjetrin, kanë shpërndarë dhe shitur substanca narkotike që dyshohen të jenë të llojit kokainë dhe marihuanë në sasi të ndryshme, në atë mënyrë që të njëjtit paraprakisht janë marrë vesh mes vete, ku i pandehuri I.P ka siguruar përmes kanaleve të ndryshme substancën narkotike, e pastaj të njëjtën ua ka shpërndarë të pandehurve të tjerë, e këta të fundit e kanë shitur në sasi të vogla në tërë territorin e Kosovës.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Të pandehurve I.P, B.P, I.H, XH.H, L.M, dhe A.R iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.