Caktohet masa e paraburgimit për vepër penale vjedhje grabitqare e mbetur në tentativë

Caktohet masa e paraburgimit për vepër penale vjedhje grabitqare e mbetur në tentativë

06 dhjetor 2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit pas ekstradimit të pandehurit J.K, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Me datë 09.06.2017, rreth orës 23:00, në fshatin Gllaviqicë, Komuna Pejë, duke vepruar në grup dhe me armë në atë mënyrë që i pandehuri Gj.V pasi që fillimisht merret vesh me të pandehurit J.K dhe Y.S, nga Republika e Shqipërisë, shkojnë në shtëpinë e viktimës M.V ku thyejnë xhamin e derës dhe depërtojnë në shtëpi ku hetohen nga dëshmitarja M e cila bërtet dhe aty del bashkëshorti i saj i cili përleshet me të pandehurit të cilët ishin të maskuar. Gjatë përleshjes të dëmtuarit M.V i shkaktohen lëndime trupore ndërsa të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime i pandehuri J.K dyshohet se ka kryer veprën penale vjedhje grabitqare e mbetur në tentativë.

Të pandehurit J.K, pasi është ekstraduar i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.