Caktohet masa e paraburgimit për vepër penale të grabitjes

Caktohet masa e paraburgimit për vepër penale të grabitjes

11 dhjetor 2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin V.B, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Me datë 11.05.2018, rreth orës 23:40, në bastore sportive në Pejë, me përdorimin e armës e duke sulmuar jetën dhe trupin e personit tjetër përfiton dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme, në atë mënyrë që ditën kritike, i maskuar dhe i armatosur me arme të llojit AK-47, hyn në bastore, mbush armën dhe ia drejton punëtorit i cili ishte i ulur pranë monitorit ku bënte shtypjen e tiketave dhe nga i njëjti kërkon qe t’ia japë të gjitha paratë nga pazari i punës, me ç’rast i dëmtuari duke qene i frikësuar, vepron sipas udhëzimeve të tij dhe nxjerr paratë ne vlerë rreth 375 €, të cilat i pandehuri i merr dhe ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Me këto veprime i pandehuri V.B kishte për të kryer veprën penale grabitje nga neni 329 par.3 të KPRK-së.

Të pandehurit V.B i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.