Në Gjykatën Themelore në Pejë u diskutua Draft Udhëzuesi – Korrupsioni Zyrtar dhe Veprat Penale Kundër Detyrës Zyrtare

Në Gjykatën Themelore në Pejë u diskutua Draft Udhëzuesi – Korrupsioni Zyrtar dhe Veprat Penale Kundër Detyrës Zyrtare

ë Gjykatën Themelore në Pejë, sot u mbajt takimi mes gjyqtarëve të Departamentit për Krime të Rënda dhe Departamentit për të Mitur të kësaj gjykate, gjyqtarëve të Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjakovë, Kryetarit të Gjykatës Themelore në Gjakovë, z. Nikollë Komani dhe Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Enver Peci, njëherësh Kryesues i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore, si dhe gjyqtarit të kësaj gjykate z. Agim Maliqi, ku u diskutuar për Draft Udhëzuesin – Korrupsioni Zyrtar dhe Veprat Penale Kundër Detyrës Zyrtare.

Gjyqtarët e vlerësuan si shumë të rëndësishëm diskutimin për këtë Draft Udhëzues. Në anën tjetër Kryetari Peci, ka kërkuar nga gjyqtarët që t’i përmbahen këtij udhëzuesi, duke e konsideruar si një dokument të rëndësishëm sa i përket këtyre veprave penale.

Për draft udhëzuesin më në detaje ka folur, Benina Kusari nga Ambasada Amerikane, përmes platformës Zoom. Udhëzuesi për veprat e korrupsionit është kryesisht i bazuar në veprat penale sipas Kapitullit XXXIII, Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Megjithatë, konceptet dhe parimet e përfshira në këtë dokument vlejnë edhe për dispozitat e tjera të këtij Kodi, të cilat i referohen keqpërdorimit të detyrës zyrtare, si për kodet e mëparshme penale të cilat janë të zbatueshme për veprat penale të kryera në kohën kur ato kode ishin në fuqi.

Ky udhëzues vlen edhe për legjislacionin tjetër penal të rëndësishëm për çështjet e caktimit të dënimit për forma të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.