Gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim ndaj të pandehurve H.M dhe SH.G për dhunim

Gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim ndaj të pandehurve H.M dhe SH.G për dhunim

16 prill 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurve H.M dhe SH.G për shkak se:

I pandehuri H.M, nga  data  05.02.2020  e  gjer me datën 07.02.2020,  në banesën e  tij, e  ka detyruar  viktimën B.SH, për të kryer akt seksual, pa pëlqimin e saj dhe atë duke e  shfrytëzuar aftësinë e saj të kufizuar mendore, në atë mënyrë që pasi që viktima kishte  shkuar në banesën e tij me sugjerimin e të akuzuarit SH.G dhe duke i ditur aftësitë e  kufizuara mendore të saj, kryen akt seksual me të,  për  atë  kohë  sa e njëjta kishte qëndruar në banesën e tij, ku viktima pasi që del për të ble bukë me datë 07.02.2020, takohet me  vëllezërit e  saj afër  banesës së të pandehurit H dhe rasti raportohet në polici.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale dhunim, nga neni 227, par.4 pika 4.7 të KPRK-së.

I pandehuri SH.G  nga muaji maj i vitit 2019, e gjer me datën 07.02.2020, e ka detyruar viktimën B.SH për të kryer akt seksual pa pëlqimin e saj dhe atë  duke shfrytëzuar aftësinë e kufizuar mendore të saj, në atë mënyrë që pasi që ishin takuar më parë me viktimën kishin vënë kontakt dhe duke e ditur aftësinë e saj mendore, i pandehuri kryen marrëdhënie seksuale me të ashtu që sa herë ka dal me të ka kryer akt  seksual pa pëlqimin e saj e me premtimin kinse për martesë, pastaj me sugjerimin e tij  viktima kishte shkuar në banesën e të pandehurit H.M, ku edhe i njëjti kishte kryer akt  seksual.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale dhunim, nga neni 227, par.4 pika 4.7 të KPRK-së.

Të pandehurit H.M gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite e gjashtë (6) muaj,  në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Të pandehurit SH.G, gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vjet e gjashtë (6) muaj,  në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Të pandehurve H.M dhe SH.G iu caktua masa e paraburgimit, e cila do të zgjas deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit por, jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Të pandehurit secili veç e veç u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej njëqindenjëzet (120) euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë (50) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, e dëmtuara është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###