Një (1) vit burgim për vrasje të mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme

Një (1) vit burgim për vrasje të mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme

30 qershor 2022 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit A.R për shkak se:

Më datë 13.05.2022, rreth orës 17:50 minuta në fshatin B., Komuna I., pikërisht në parkingun e marketit “R.”, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe me mjet të rrezikshëm dhe atë me kaçavidë ka tentuar ta privoj nga jeta te dëmtuarin M.M, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari së bashku me vëllain e tij kishin shkuar me veturën e tyre për ta dërguar një porosi tek një klient te marketi “R.” , dhe pasi kanë shkuar tek parkingu i marketit kanë kontaktuar me klientin e tyre nga i cili kanë kuptuar se i njëjti ishte duke i pritur tek pika e karburantit përball marketit dhe vëllai i te dëmtuarit këtu A.M ka tentuar që të kyqet në rrugën kryesore mirëpo para veturës së tyre ka qenë e parkuar një veturë dhe e njëjta ka shkuar pak prapa, ku dëshmitari A.  është ndalur dhe i ka rënë burisë 2-3 herë dhe në momentin kur dëshmitari A.  ka tentuar prapë për ta marr harkun për të dal në të majtë dhe për t’u kyqë në rrugën kryesore, në këtë moment  i pandehuri me veturën e tij lëviz përsëri  nga prapa ku dëshmitari A. ndalon me veturë dhe fillon t’i bije prapë burisë e në këtë moment nga vetura del i pandehuri i cili shkon në drejtim të dëshmitarit  duke e fyer dhe sharë, e në këtë moment del edhe i dëmtuari dhe fillon ta sulmoj i pari të pandehurin, ku  i pandehuri më pas niset në drejtim te automjetit të tij ku nga pas i shkojnë i dëmtuari me dëshmitarin dhe nga automjeti i tij i pandehuri  e merr një kaçavidë me të cilën e godet shumë  herë te dëmtuarin,  tri herë në dorën e majtë dhe disa herë në kraharorë dhe nën brinjë dhe gjatë përleshjes edhe i dëmtuari e merr një shufër metalike nga vetura e tij  dhe me të njëjtën e godet në pjesë të ndryshme të trupit të pandehurin derisa aty  kanë ndërhy disa persona të  tjerë të cilët kanë arritur që ta ndalin këtë përleshje.

Me këto veprime i pandehuri A.R duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme ka kryer vepër penale vrasje e mbetur në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe nenin 12 par.3 të KPRK-së.

Të pandehurit A.R gjykata i shqiptoj DËNIMIN ME BURG në kohëzgjatje prej një (1)  viti, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Mjetet e gjetura në vendin e ngjarjes dhe atë një kaçavidë dhe një shufër metalike, u konfiskuan dhe të njëjtat u urdhërua që të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri A.R u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës t’ia paguaj shumën prej shtatëdhjetë (70) euro,në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej njëzetepesë (25) euro si dhe në emër të taksës për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditëve nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

I dëmtuari për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Pas shpalljes së aktgjykimit të pandehurit ju ndërpre masa e paraburgimit dhe u lëshua që të mbrohet në liri deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###