Caktim paraburgimi ndaj te pandehurit F.Ll.
Pejë, 15 shtator 2017 – Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një (1) muaji të pandehurit F.Ll.
I pandehuri F.Ll. shqiptar shtetas i Republikës së Kosovës, dyshohet se i njëjti ka kryer veprën penale Vrasje e rëndë nga neni 179 par. 1 pika 1.5 te KPRK-së.
“I pandehuri është paraburgosur si i dyshuar kryesor se me datë 14.09.2017 rreth orës 15:15 min, në rrugën “Muharrem Kelmendi” në Pejë, pas një mosmarrëveshje që e kishte i pandehuri F.Ll. me viktimën I.G. dhe të dëmtuarin F.G., ashtu që i pandehuri në ditën kritike derisa viktima i kishte zbrazur drutë në rruge para derës se viktimës dhe derës së të pandehurit, në ato momente vjen i pandehuri F.Ll. dhe i drejtohet me fjalë “Pse po ma prek zidin me dru” e më pas hyn në shtëpinë e tij nga ku merr një sëpatë dhe me qyk të sëpatës e godet viktimën në pjesën e sipërme të kokës ku si pasoj i këtyre goditjeve viktima I.G. vdes në spital. Pas pesë minutave pasi që viktimën I.G. e dërgojnë në spital në vendin e ngjarjes vjen i dëmtuari F. G. i biri i të ndjerit I.G. dhe i afrohet derës së shtëpisë së të pandehurit F.Ll. duke shajtë, e me ç’rast i pandehuri nga brendia e oborrit shtënë me armë zjarri disa herë në drejtim të viktimës F.G. duke i shkaktuar plagë të rënda një në dorën e djathtë , një në abdomen dhe një në pelvik”.
Masa e paraburgimit do të llogaritet nga dita e arrestimit të pandehurit me datë 14.09.2017 dhe do të zgjasë deri me datën 14.10.2017.
Palët gëzojnë të drejtën e ankesës ndaj këtij Aktvendimi në Gjykatën e Apelit.