Pejë, 29 tetor 2018 – Në Gjykatën Themelore në Pejë – Departamenti për të Mitur, pas shpalljes së aktgjykimit ndaj të pandehurit M.N, i akuzuar për vepër penale dhunim nga neni 230 par.4, pika 4.7, lidhur me par.1 të KPRK-së, i njëjti pasi i komunikohet lartësia e dënimit të shqiptuar, nga karriga e të akuzuarit papritmas ka reaguar duke e sulmuar mbrojtësin e tij të cilin e godet me grusht dy herë duke i shkaktuar lëndime trupore.
Menjëherë, oficerët e Njësitit për Përcjellje të Qendrës së Paraburgimit në Pejë kanë intervenuar, situata është vënë nën kontroll dhe me urdhër të Kryetares së Trupit Gjykues i pandehuri është kthyer në Qendrën e Paraburgimit në Pejë ndërsa, procedura e mëtutjeshme ndaj tij do të vazhdohet nga organet e rendit.