05 shkurt 2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit U.L
Të pandehurin U.L., gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin unik me burgim në kohëzgjatje prej dymbëdhjetë (12) muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak dhe dënim me gjobë në shumë prej katërqind (400) €, të cilën shumë i pandehuri obligohet që ta paguaj në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I njëjti është obliguar që në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor ta paguaj shumën prej njëzet e pesë (25) €, në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) € si dhe në emër të shpenzimeve procedurale shumën prej njëqind (100) €, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – konfiskimi i armës dhe është urdhëruar shkatërrimi i saj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
I pandehuri U.L shpall fajtor për shkak se:
Me datë 24.04.2018, rreth orës 08:20, në fshatin Lebushë, Komuna Deçan, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin I.K, në atë mënyrë që për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, i dëmtuari ka shkuar në oborr të shtëpisë së vëllait të tij ku i pandehuri ishe duke punuar, me këtë rast i dëmtuari e godet të pandehurin me grusht duke i shkaktuar gjakderdhje në hundë, aty ndërhyn dëshmitari dhe i ndan. Pas kësaj i pandehuri shkon te vetura e tij dhe e merr armën përderisa i dëmtuari ishe duke shkuar pas tij me një letfë në dorë, i pandehuri shtin në drejtim të dëmtuarit me armë, pastaj kacafyten dhe gjatë kacafytjes i pandehuri e godet me armë dy herë në kofshë të dëmtuarin.
Me çka i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.