PROCESI GJYQËSOR CIVIL
Procedura Kontestimore
Inicimi dhe regjistrimi
Procedura kontestimore fillohet me paraqitjen e padisë me shkrim nga paditësi, kundër të paditurit (neni 252). Padia paraqitet në Gjykatën Themelore ose degën kompentente (neni 17).
Fillimisht padia së bashku me provat dhe shkresat tjera, dorëzohet në zyrën e pranimit, e cila me këtë rast e protokollon padinë e paditësit dhe pastaj të njëjtën e dërgon në Zyrën për Menaxhimin e Lëndëve (ZML).
Caktimi i lëndës te gjyqtari
Zyra për Menaxhimin e Lëndëve e regjistron dhe e formon lëndën, të cilës ia cakton numrin identifikues.
Caktimi i lëndës tek gjyqtari bëhet përmes shortit, i cili realizohet me mjete elektronike e sipas shortit lënda caktohet te gjyqtari i caktuar.
Faza e shqyrtimit paraprak të padisë dhe e përgjigjes në padi
Gjykata, gjegjësisht gjyqtari i caktuar, menjëherë pasi të arrijë lënda te ai/ ajo, fillon shqyrtimin paraprak të padisë, neni 389 t; LPK ku e verifikon legjitimitetin e palëve dhe rregullsinë e padisë të cilës duhet bashkangjitur vërtetimi mbi pagesën e taksës gjyqësore.(neni 253.4)
Në rast se padia është e rregullt dhe e plotë, padinë së bashku me shkresat tjera të lëndës, gjykata ia dërgon të paditurit për përgjigje në padi brenda 15 ditëve.
I padituri ka për detyrë që brenda afatit prej 15 ditësh të paraqet me shkrim përgjigjen e tij ndaj padisë së paditësit (neni 394).
Pasi të arrijë përgjigja në padi, gjykata si rregull brenda 30 ditëve e cakton seancën përgatitore (neni 400). Ftesa për seancë përgatitore, u dërgohet palëve 7 ditë para se të mbahet ajo (neni 402.2.).
Seanca përgatitore
Seanca përgatitore fillon me prezantimin e padisë, pastaj i padituri në të njëjtën mënyrë e parashtron përgjigjen në padi (neni 403.1.).
Në seancën përgatitore palët deklarohen rreth pretendimeve të tyre dhe bëjnë propozimet për sigurimin e provave p.sh. dëgjimi i dëshmitarëve etj.
Palët gjatë gjithë procedurës mund ta zgjidhin kontestin e tyre me anë të
- pajtimit gjyqësor (neni 412) apo
- procedurës së ndërmjetësimit (neni 411.1).
Gjykata si rregull, u propozon palëve që kontestin në mes tyre ta zgjidhin me ndërmjetësim apo pajtim gjyqësor.
Nëse arrihet pajtimi gjyqësor, gjykata nxjerr aktvendim me të cilin pranohet pajtimi gjyqësor (neni 414.1).
Varësisht nga rezultati i shqyrtimit në seancën përgatitore, gjykata do të vendosë se çka do të jetë objekt i shqyrtimit dhe cilat prova do të merren në seancën për shqyrtimin kryesor të çështjes.
Nëse në seancën përgatitore nuk vjen i padituri, shqyrtimi vazhdon të mbahet vetëm me palën paditëse (neni 409.2.) ndërsa nëse nuk vjen paditësi, padia konsiderohet e tërhequr (neni 409.1).
Caktimi i seancës kryesore dhe ftesa
Në seancën përgatitore gjykata me aktvendim e cakton seancën kryesore (neni 420). Ftesa për seancën kryesore palëve mund t’u komunikohet drejtpërdrejtë përmes procesverbalit të seancës përgatitore apo me ftesa të veçanta të cilat palëve duhet t’u dërgohen së paku 7 ditë para mbajtjes së seancës kryesore.
I padituri ka të drejtë të paraqesë kundërpadi deri në përfundimin e seancës përgatitore, apo nëse nuk është mbajtur kjo, deri në seancën e parë për shqyrtim kryesor.
Seanca për shqyrtim kryesor
Gjyqtari i çështjes e deklaron hapjen e seancës dhe objektin e shqyrtimit, si dhe verifikon paraqitjen e të ftuarve dhe konstaton shkaqet e mosparaqitjes në seancë si dhe rregullsinë e thirrjeve të atyre që nuk kanë ardhur. Procedura në shqyrtim kryesor zhvillohet gojarisht.
Nëse në seancën për shqyrtim kryesor nuk vjen i padituri, shqyrtimi vazhdon të mbahet vetëm me palën paditëse (neni 423.4 .) ndërsa nëse nuk vjen paditësi, padia konsiderohet e tërhequr. 423.3
Pasi të përfundojnë të gjitha fazat e shqyrtimit kryesor dhe pasi të jetë i gatshëm për zgjidhje kontesti, gjykata e shpallë të mbyllur shqyrtimin kryesor.
Nxjerrja e vendimit
Pas përfundimit të shqyrtimit kryesor, gjykata nxjerr vendim përfundimtar brenda 15 ditëve, i cili mund të jetë aktgjykim apo aktvendim (neni 153).
- Me aktgjykim gjykata vendos për çështjen kryesore dhe me kërkesat aksesore (neni 143), ndërsa
- Me aktvendim vendos për pengim posedimin, për procedurën përmbarimore dhe për çështjet që kanë të bëjnë me shpronësimin e pronës së paluajtshme.
Procedura sipas Ankesës kundër vendimeve të shkallës së parë
Kundër aktgjykimit pala e pakënaqur mund të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore (neni 176).
Ankesa mund të paraqitet brenda 15 ditëve pas dorëzimit të aktgjykimit palëve.
Në kontestet nga marrëdhënia e punës dhe në kontestet tregtare, afati për paraqitje të ankesës është 7 ditë.
Pala mund të heqë dorë nga ankesa që nga momenti kur i është dorëzuar aktgjykimi e deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Apelit (neni 177).
Nëse nuk bëhet ankesë brenda afatit ligjor, aktgjykimi bëhet i formës së prerë.
Hedhja poshtë e ankesës nga gjykata
Gjykata, posa ta pranojë ankesën e palës, e shqyrton të njëjtën dhe me aktvendim mund ta hedhe ankesën nëse ankesa është:
- e paafatshme,
- jo e plotë
- e palejueshme (neni 186).
Përgjigja në ankesë
Pala kundërshtare ka të drejtë të përgjigjet në ankesë.
Afati për përgjigje në ankesë është 7 ditë nga dorëzimi i ankesës palës kundërshtare (neni 187).
Në kontestet tregtare ky afat është 3 ditë.
Brenda afatit prej 7 ditësh pas pranimit të përgjigjes në ankesë, Gjykata Themelore ose dega kompetente ia dorëzon Gjykatës së Apelit ankesën dhe të gjitha shkresat e lëndës (neni 188).
Procedura Jokontestimore
Inicimi dhe regjistrimi
Procedura jokontestimore iniciohet me anë të propozimit të
- personit fizik
- personit juridik, ose
- me anë të propozimit të organit shtetëror të përcaktuar me Ligjin për Procedurën Jokontestimore ose me ndonjë ligj tjetër.
Procedurën jokontestimore e inicion gjykata sipas detyrës zyrtare vetëm në rastet dhe nën kushtet e caktuara me Ligjin për Procedurën Jokontestimore apo me ndonjë ligj tjetër.
Fillimisht, Propozimi së bashku me provat dhe shkresat tjera, dorëzohet në zyrën e pranimit, e cila e protokollon propozimin e palëve dhe pastaj të njëjtën e dërgon në Zyrën për Menaxhimin e Lëndëve (ZML).
Caktimi i lëndës te gjyqtari
Zyra për Menaxhimin e Lëndëve e regjistron dhe e formon lëndën, të cilës ia cakton numrin identifikues.
Caktimi i lëndës tek gjyqtari bëhet përmes shortit, i cili realizohet me mjete elektronike e sipas shortit lënda caktohet te gjyqtari i caktuar.
Pjesëmarrës në procedurën jokontestimore quhet:
- subjekti që e ka filluar procedurën,
- subjekti për interesat dhe të drejtat subjektive të të cilit shqyrtohet dhe vendoset në procedurë, si dhe
- organi shtetëror i cili merr pjesë në procedurë në bazë të autorizimit ligjor.
Procedura jokontestimore zhvillohet në dy seanca:
- seancën përgatitore, dhe
- seancën për shqyrtim kryesor.
Pas përfundimit të seancës për shqyrtim kryesor, gjykata nxjerr vendimin përfundimtar.
Në procedurën jokontestimore vendimet jepen në formë të aktvendimeve.
Marrja e Aktvendimit
Gjykata me aktvendim vendos:
- Të aprovojë (në tërësi apo pjesërisht) propozimin e propozuesit;
- Të refuzoj propozimin e propozuesit.
Procedura sipas Ankesës
Kundër aktvendimit të shkallës së parë ankesa mund të ushtrohet në Gjykatën e Apelit, brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e dorëzimit të aktvendimit, përveç nëse me ligj nuk është paraparë ndryshe.
Procedura sipas mjeteve të jashtëzakonshme
Kundër vendimit të Gjykatës së Apelit, palët mund të ushtrojnë mjetet e jashtëzakonshme juridike në Gjykatën Supreme, siç janë:
- Revizioni (vetëm në çështjet statusore, banesore dhe lidhur me kompensimin për paluajtshmërinë e shpronësuar
- Propozimi për përsëritjen e procedurës;