Caktim paraburgimi ndaj të pandehurve S.S., D.N., N.R., dhe B.T.
PEJË – Sot gjyqtarja e procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm Penal i Gjykatës Themelore në Pejë, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Pejës për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve S.S., D.N., N.R., dhe B.T., në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Të pandehurit S.S. dhe D.N. serb, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare nga neni 410 par. 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, ndërsa të pandehurit N.R. dhe B.T. serb, shtetas i Republikës së Serbisë, dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale pengim i personit zyrtar ne kryerjen e detyrës zyrtare nga neni 409 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 me nenin 31 te KPRK-së.
“Të pandehurit S.S., D.N., N.R., dhe B.T., me dt. 20.06.2016 ishin duke udhëtuar me automjete Ford ngjyrë hiri me targa te Republikës së Serbisë dhe me automjetin Audi 6 me targa te Republikës së Serbisë dhe përgjatë magjistrales Pejë-Prishtinë në fshatin Ramun në orën 14 e 30 minuta ndalohen nga zyrtar policor për shkak të një kontrolli rutinor. Të pandehurit duke qenë ne ndikim të alkoolit , kanë reaguar duke mos dashur ti përfillin urdhërat e zyrtarëve policor të A.G., V.H., dhe H.D., duke iu drejtuar me fjalët kërcënuese, si dhe duke i sulmuar të njëjtit edhe fizikisht, duke iu shkaktuar lëndime trupore”.
Masa e paraburgimit do të llogaritet në kohëzgjatje prej 30 (tridhjetë) ditëve prej datës 20.06.2016 dhe do të zgjasë deri me datën 19.07.2016.
Palët kundër këtij aktvendimi kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.