PEJË, 31.10. 2018 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit J.M.
Të pandehurin J.M, gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 1 (një) viti dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.000 euro të cilën shumë është i detyruar ta paguaj në afat prej 90 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, e në rast të mospagimit të dënimit me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 50 (pesëdhjetë) ditëve, ashtu që çdo 20 euro të dënimit me gjobë i përcakton një ditë burgu.
Të njëjtit i është shqiptuar edhe dënimi plotësues – konfiskimi i armës dhe është urdhëruar shkatërrimi i saj.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, i dëmtuari është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Të pandehurit i është shqiptuar edhe Masa e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik, e cila masë do të ekzekutohet në Qendrën e Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë, ku koha e kaluar në Institucionin e kujdesit shëndetësor i llogaritet në dënimin shqiptuar.
I pandehuri është shpall fajtor për shkak se:
“Me datë 11.06.2018, me dashje dhe në gjendje të aftësisë së zvogëluar mendore ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehurit i përgatitur shkon në vendin kritike me veturën e tij dhe sapo afrohet te i dëmtuari ndalon veturën dhe me armën e tij nga dritarja e pasagjerit ka shtënë katër herë në drejtim të tij duke e goditur dy herë në bark – pelvik e pastaj me të shpejtë largohet nga vendi i ngjarjes ndërsa, viktimën e dërgojnë në spital dëshmitarët”
Me çka ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe nenin 18 par.2 të KPRK-së dhe,
“Të njëjtën ditë, në kundërshtim me nenin 5 par.1 të Ligjit mbi armët dhe pa autorizim ka mbajtur në pronësi dhe kontroll një armë zjarri në atë mënyrë që më parë në shtëpinë e tij ka mbajtur armë ndërsa, ditën kritike të njëjtën e ka përdorë me qëllim që ta privoj nga jeta të dëmtuarin.”
Me çka ka kryer veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374 par.1 të KPRK-së.
Kundër këtij Aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit.