02.12.2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.K.
Të pandehurit H.K, gjykata e shpalli fajtor për shkak se në periudhën kohore nga fillimi muajit qershor 2016, në mënyrë të vazhdueshme gjer me datë 18.10.2016, në Pejë, duke qenë në pozitën e Zyrtarit për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, tejkalon autorizimet e tij ligjore me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në atë mënyrë që përmes programit “Free Key Logger” program ky i cili shërben për vjedhje të fjalëkalimeve, merr fjalëkalimin e shfrytëzuesit të kompjuterit të G.T – Zyrtar për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, e duke shfrytëzuar këtë kompjuter por edhe kompjuterin e tij personal përmes programit “Pro tax”, hynë në sistemin kompjuterik të M.L – Zyrtare për Tatim në Pronë në Komunën e Pejës, ashtu që gjatë periudhës së lartcekur ka arritur t’i shlyej obligimet tatimore të J.K, E.A, A.K, N.B, V. M dhe R.K, duke i sjellë vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, ndërsa në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari B.G, merr shumën e të hollave prej 170 €, për të shlyer obligimin tatimor të tij për gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, por të njëjtit tatimin në fjalë nuk ja shlyen, ndërsa të hollat i kishte përvetësuar për vete në mënyrë të kundërligjshme. Me këto veprime i pandehuri H.K ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 442 par.1 të KPRK-së.
Ndaj të pandehurit H.K gjykata shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj e në të cilin dënim me burg i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.
Gjykata të pandehurin e njoftoj me mundësinë që dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj, me pëlqimin e tij mundë të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej pesëmijë (5.000) euro.
I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguaj shumën prej njëqind euro (100) €, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej pesëdhjetë (50) euro si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, të dëmtuarit udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.