Pejë, 28 janar 2020 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.B, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se :
Me datë 29 gusht 1999, me dashje ka privuar nga jeta të ndjerin C.M, në atë mënyrë që ditën kritike pas një fjalosje të shkurtë që kanë pasur pikërisht në oborrin e një shtëpie ku ishte duke banuar i ndjeri, me ç’rast pas kësaj fjalosje i pandehuri fillimisht e godet me shuplakë e pastaj nga një qerre kali nxjerr një anësore (shufër druri) dhe me të njëjtin e godet viktimën në anën e pasme të kokës, ku i ka shkaktuar plagosje të rëndë trupore me gjakderdhje të brendshme, shkaku i të cilave plage viktima ka vdekur të njëjtën ditë në Spitalin Regjional në Pejë.
Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje nga neni 30 al.1 të LPK-së.
Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.