14.08.2020 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit SH.B për shkak se:
Me datë 07.02.2020, rreth orës 11:20, i akuzuari duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme dhe aftësisë esencialisht të zvogëluar, me thikë të kuzhinës, ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin B.Q, në atë mënyrë që për shkak të një fjalosje verbale, i dëmtuari ngritët nga tavolina e tij dhe shkon te tavolina e pandehurit, ku ky i fundit e nxjerr thikën e kuzhinës dhe në momentin kur i dëmtuari e sulmon me grushta të pandehurin, i pandehuri me thikë e godet të dëmtuarin tri herë, duke i shkaktuar kështu lëndime të lehta trupore.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme nga neni 172 e lidhur me nenin 28, si dhe me nenin 12 par.3, si dhe nenit 18 par.2 të KPRK-së.
Të pandehurit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej shtatë (7) muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënimi plotësues konfiskimi i një thike të kuzhinës.
I njëjti është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej njëzet (20) euro, si dhe në emër të kompensimit të viktimave shumën prej pesëdhjetë (50) euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë.
I dëmtuari B.Q, për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Pas shpalljes së aktgjykimit të pandehurit i është ndërprerë masa e paraburgimit gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Të pandehurit SH.B, gjykata i ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikiatrik në liri, pushimi i kësaj mase do të caktohet nga gjykata kur të vërtetohet se vazhdimi i mëtutjeshëm i këtij trajtimi është i pa nevojshëm, pas raporteve mbi gjendjen shëndetësore dhe mendore për të pandehurin. Në rast të mosrespektimit të kësaj mase nga ana e të pandehurit, gjykata mund të vendosë për ndërrimin e masës në dhe të njëjtit t’i shqiptohet masa e trajtimit të detyrueshëm me ndalim.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.