Caktohet masa e paraburgimit ndaj tre të pandehurve për grabitje

Caktohet masa e paraburgimit ndaj tre të pandehurve për grabitje

22 tetor 2020 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve B.P, D.K dhe Z.V, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Me datë 12.09.2020, rreth orës 21:40, në magjistralen Pejë – Rozhajë, në një pompë të derivateve, duke vepruar si anëtar të grupit me përdorimin e kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e viktimës, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore.

Me këto veprime të pandehurit dyshohet se kanë kryer veprën penale grabitje.

Të pandehurve iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe se kjo vepër bënë pjesë në grupin e veprave të rënda penale për të cilat parashihet dënimi prej 7 deri në 15 vite burgim andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku që të arratisen me qëllim që t’i shmangen dënimit që iu kanoset po qe se provohet fajësia e tyre. Gjithashtu, gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton me faktin se kjo çështje është në fazën hetimore dhe pritet që të dëgjohen dëshmitarët dhe vetë të pandehurit ashtu që me gjetjen e mundshme të tyre në liri, me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale, mund t’i ndryshojnë deklaratat e dhëna në polici duke i harmonizuar mbrojtjet mes tyre si dhe të ndikojnë në dëshmitarë e me këtë të pengojnë rrjedhën normale të procedurës. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurve në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate ndaj të pandehurve.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###