Paraburgim ndaj të pandehurit B.A për grabitje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje

Paraburgim ndaj të pandehurit B.A për grabitje, shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje

19 Shkurt 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.A, për shkak të dyshimit të bazuar se :

I pandehuri B.A:

Me datë 26.07.2018, rreth orës 23:20, në një lokal në Pejë, me përdorimin e kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit tjetër përvetëson pasurinë e luajtshme të personit të tillë, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që, i maskuar dhe i armatosur hyn në një lokal dhe nën kërcënimin e armës duke shtënë njëherë në drejtim të dyshemesë, iu drejtohet punëtorëve të lokalit, me fjalët “qiti lekët”, ashtu që dëshmitari, nxjerr nga xhepi paratë dhe ia jep të pandehurit, i cili më pas i qetë largohet nga lokali dhe i maskuar e i armatosur hyn në një market në Pejë duke iu drejtuar punëtorëve të marketit me fjalët “mos livrit, qitni lekët”, të cilët ja japin të hollat, e në ndërkohë vëren një konsumator nga i cili kërkon para dhe kur i njëjti deklaron se nuk ka para, i pandehuri shkrep njëherë me revole në drejtim të dyshemesë e më pas largohet nga marketi, por që ndiqet nga policia të cilët ishin lajmëruar nga qytetarët dhe rreth 500 metra nga vendi i ngjarjes së bashku edhe me gjësende tjera, është gjetur edhe arma e përdorur nga i pandehuri.

Me këto veprime i pandehuri kishte për të kryer veprat penale grabitjenga neni 329, par. 3, të ish –  KPRK-së, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, nga neni 365, par. 1, të ish – KPRK-së dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374, par. 1, të ish – KPRK-së

Të pandehurit B.A i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston baza e dyshimit se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen dëshmitarët, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në dëshmitarë në ndërrimin e deklaratave të dhëna më parë në polici, e me këtë do të ndikojë në zhvillimin e drejtë të procedurës hetimore e në drejtim të shmangies, zbutjes apo përjashtimit të përgjegjësisë penale për veprat për të cilat pandehet. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë vepër të natyrës së njejtë apo të ngjashme.

Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###