Dy vite burgim dhe ndalim i ushtrimit të profesionit ndaj të pandehurit N.B për sulm seksual

Dy vite burgim dhe ndalim i ushtrimit të profesionit ndaj të pandehurit N.B për sulm seksual

20 maj 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit N.B për shkak se:

Me datë 12.08.2020 rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht ne zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor duke keqpërdorë gjendjen shëndetësorë të foshnjës së të dëmtuarës, e prek të  njëjtën me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, në atë mënyrë që natën kritike e dëmtuara duke qenë nënë dhe shoqëruese e foshnjës së saj të hospitalizuar, aty vjen i pandehuri i cili në cilësi të mjekut kujdestar, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas e fton të dëmtuarën që të shkoj në zyrën e  kujdestarisë së tij për tu konsultuar dhe kinse për ta udhëzuar, e dëmtuara shkon pas tij dhe sapo ofrohet tek dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri  e kap  për dore dhe e fut brenda në zyrë, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën, por që viktima arrin ta shtyjë nga vetja,  ta hap derën dhe të largohet, me ç ‘rast e lajmëron rastin në polici.

  • Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale sulm seksual,  nga neni 229 par 3 nënpar 3.10 pika 3.10.2 te KPRK-së.

Të pandehurit N.B gjykata i shqiptoj dënimin me burg në kohëzgjatje prej dy (2) vite,  në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Si dhe DËNIM PLOTËSUES – Ndalim i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatjen prej 2 vite, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor, gjykatës të ia paguaj shumën prej pesëdhjetë (50) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej tridhjetë (30) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, e dëmtuara është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###