Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurve I.M, E.Z, M.I dhe J.A ndërsa arrest shtëpiak për të pandehurën M.XH për vepër penale trafikim me njerëz

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurve I.M, E.Z, M.I dhe J.A ndërsa arrest shtëpiak për të pandehurën M.XH për vepër penale trafikim me njerëz

27 tetor 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve I.M, E.Z, M.I dhe J.A dhe caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurës M.XH, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Më datë 12.10.2021 e në vazhdimësi gjer me datë 16.10.2021, duke vepruar si grup i organizuar, marrin pjesë në trafikimin e qenieve njerëzore dhe atë të një të dëmtuare, të cilën nën kërcënimin dhe përdorimin e forcës e vejnë në shfrytëzim për përfitim material përmes shërbimeve seksuale me pagesë me personat e tjerë.

Me këto veprime të pandehurit kishin për të kryer veprën penale trafikim me njerëz  nga neni 165 par.3 lidhur me par.1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

Të pandehurve I.M, E.Z, M.I dhe J.A iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj ndërsa, të pandehurës M.XH i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej (1) muaj, pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të njëjtit kanë kryer veprën penale për ta cilën dyshohen. Duke e pas parasysh natyrën e rëndë të veprës penale për të cilën parashihet sanksion mjaft i lartë, gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi që me gjetjen e të pandehurve në liri, me qëllim mund t’i shmangen kontaktit me organet kompetente shtetërore ndërsa, duke e pas parasysh mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së kësaj vepre, ekziston rreziku që të pandehurit të përsërisin veprën e njejtë apo të kryejnë vepër të re penale në dëm të të dëmtuarës apo personave të tjerë. Gjithashtu, në këtë çështje ende nuk janë dëgjuar dëshmitarët, nuk janë kryer ekzaminimet mjekësore dhe provat e tjera që janë të rëndësishme për hetim andaj, me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ekziston rreziku që të njëjtit të ndikojnë në dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën pa pengesa të procedurës.

Gjykata sipas detyrës zyrtare  vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###