Shtatëmbëdhjetë (17) vite burgim ndaj të pandehurit K.B për vrasje

Shtatëmbëdhjetë (17) vite burgim ndaj të pandehurit K.B për vrasje

13 dhjetor 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit K.B për shkak se:

Me datë 12.09.2018, rreth orës 20:52-21:15, në shtëpinë e tij, pikërisht në sallonin e shtëpisë së tij, e ka privuar nga jeta të ndjerin A.D, në atë mënyrë që pasi që tani i ndjeri A, kishte shkuar me veturë në shtëpinë e të pandehurit, me qëllim që nga i njëjti të kërkonte një armë automatike, e të cilën armë ia kishte kërkuar A.H, për shkak se natën kritike kishin një gazmend familjar dhe që me te, të festonin në fejesën e kushëririt të tyre dhe pasi tani i ndjeri shkon në shtëpinë e të pandehurit, i pandehuri K, për motive të panjohura shtënë nga arma, disa herë në drejtim të tani të ndjerit A, duke e goditur të njëjtin me tetë predha, në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë e plagëve të pësuara tani i ndjeri ndërron jetë, dhe trupi i tij me datë 14.09.2018 rreth orës 15:05, gjendet në fshatin D, ndërsa vetura e tani të ndjerit, është gjetur e braktisur në lagjen B në M.

  • Me çka ka kryer vepër penale vrasje  nga neni 178 të KPK-së.

Të pandehurin K.B gjykata e gjykoj me dënimin me burgim në kohëzgjatje prej shtatëmbëdhjetë (17) vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim e të cilin dënim do ta mbajë pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe paushallit gjyqësor, të paguaj shumën prej dyqind (200) euro si dhe shumën prej pesëdhjetë (50) euro në emër të programit për kompensimin e viktimave të krimit, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil.

Të pandehurit masa e paraburgimit i vazhdohet nga dita e shpalljes së aktgjykimit, deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar me aktgjykim të kësaj gjykate.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###