Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit S.H për lëndim të rëndë trupor dhe kanosje

Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit S.H për lëndim të rëndë trupor dhe kanosje

19 maj 2022 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit S.H, i dyshuar për vepër penale lëndim i rëndë trupor nga neni 186 par.3 lidhur me par.1 nënpar. 1.3 të KPRK-së dhe vepër penale kanosja nga neni 181 par.2 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, gjatë së cilës kohë i njejti nuk mund të largohet nga shtëpia e tij përveç kur kjo është e domosdoshme për përmbushjen e nevojave jetësore dhe vetëm me lejen e gjykatës. Në rast të shkeljes së kësaj mase, gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit.

Të pandehurit iu caktua masa e arrestit shtëpiak pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, konstatoi se pretendimet e prokurorit të shtetit se ndaj të pandehurit duhet të caktohet masa e paraburgimit si masë më e rëndë izoluese për të penguar rrezikun e ndikimit në dëshmitar dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale nuk qëndrojnë, pasi gjykata është e bindur se edhe me masën e arrestit shtëpiak mund të arrihet pengimi i ndikimit në të dëmtuarën si dhe mund të pengohet rreziku i përsëritjes së veprës penale. Andaj, duke pas parasysh se sipas nenit 173 par.2 të KPRK-së sipas së cilës “me rastin e vendosjes se cilën nga masat do ta zbatoj për të siguruar praninë e të pandehurit, gjykata detyrohet ti merr parasysh kushtet e përcaktuara për masat konkrete dhe të siguroj që të mos zbatoj masën më të rëndë kur mjafton masa më e butë”, gjykata vlerësoj se duke ju referuar rrethanave të rastit, masa e paraburgimit ndaj të pandehurit në fjalë si masë më e rëndë duhet të caktohet vetëm si masë përjashtuese, ngase mbajtja e të pandehurit në paraburgim asnjëherë nuk duhet të jetë masë ndëshkuese, por duhet të kihen parasysh faktet e çështjes penale për çka ka gjetur se në rastin konkret masa e arrestit shtëpiak ofron siguri të mjaftueshme për zhvillimin normal dhe të suksesshëm të procedurës penale.

 Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###