Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit XH.B për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit XH.B për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

13 shtator 2022 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit XH.B, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë e mbetur në tentativë nga neni 173 par.1, nënpar. 1.8, të KPRK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se tani është faza e hetimeve ku duhet të vërtetohet motivi i cili tani për tani është i panjohur, më pas duhet të sigurohet raporti mjeko-ligjor lidhur me natyrën e lëndimeve trupore, mjetin dhe pasojën e shkaktuar për të dëmtuarin, kanë për tu siguruar raporte, ka për tu ftuar dhe dëgjuar i dëmtuari, i cili për shkaqe të rënda shëndetësore nuk ka pasur mundësi të deklarohet, kanë për tu dëgjuar dëshmitaret si dhe vetë të pandehurin, ashtu që me gjetjen e mundshme te të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti në mënyre direkte apo indirekte mund të ndikoj tek dëshmitaret në drejtim të dhënies së dëshmive në favor të tij. Gjithashtu, duke pas parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, ku i pandehuri veprën penale e ka kryer në shtëpinë e tij ku në mënyrë dinake dhe me dashje ka tentuar ta privoj nga jeta viktimën e më pas të njëjtin ta marr dhe ta dërgoj në hapësirën në të cilin i pandehuri kishte hapur një varr me qëllim të varrosjes dhe zhdukjes së gjurmëve të krimit, më pas duke pas parasysh edhe raportet miqësore në mes të familjes së të pandehurit dhe viktimës dhe nga momenti i kryerjes së veprës penale këto raporte janë acaruar, të gjitha këto tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme te të pandehurit në liri i njëjti mund ta përfundoj veprën e mbetur në tentativë apo ta kryer një vepër tjetër penale.

 Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###