14 qershor 2023 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.S, i dyshuar për vepër penale sulmi seksual nga neni 229 par.7 lidhur me par.6, par.3 nënpar.3.10 dhe par.1 të KPRK-së dhe vepër penale kanosja nga neni 181 par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.
Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh peshën dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale që i vihen në barrë si dhe faktin se në këtë çështje pritet të dëgjohen dëshmitarët dhe të dëmtuarit, rrethana këto që dëshmojnë se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë vepra të njëjta apo të ngjashme penale apo mund të ndikojë në dëshmitarë dhe të dëmtuar. Andaj, mbi bazën e të lartcekurave, e me qëllim të zhvillimit të procedurës në mënyrë të drejtë dhe zbardhjes së plotë të gjendjes faktike, gjykata erdhi në përfundim se masa e paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë të procedurës dhe se masat e tjera nuk janë të mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë dhe mbarëvajtjen e kësaj çështje penale.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.