11.10.2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit F.Q për shkak se:
Me datë 09.02.2019, rreth orës 22:00 në Pejë, pikërisht në parkingun përballë një lokali, me mjet të rrezikshëm – boks të hekurit me pjesë të shtuar – thikë, i shkakton lëndim truporë të dëmtuarit U.G. që rezulton me shëmtim të përhershëm të tij, në atë mënyrë që përderisa i pandehuri po hynte në lokal, në mes të lokalit takohet me dëshmitarin E.N, ku ky i fundit kërkon nga i pandehuri që të dalin jashtë për t’u sqaruar rreth një mosmarrëveshje te mëhershme ne mes tyre, ata dalin në parkingun përballë lokalit në fjalë e pas një fjalosje të shkurtër në mes tyre, aty afrohet edhe i dëmtuari U.G dhe në bisedë e sipër me të pandehurin ky i fundit e nxjerrë nga xhepi një boks të hekurit me pjesë të shtuar – thikë dhe e godet të dëmtuarin në anën e majtë të fytyrës duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore .
Me këto veprime i pandehuri F.Q ka kryer veprën penale lëndim i rëndë trupor.
Ndaj të pandehurit gjykata shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vite të cilin dënim i pandehuri nuk do ta vuaj nëse në kohëzgjatje prej dy (2) vite nuk kryen vepër të re penale.
I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguaj shumën prej njëqind (100) €, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej dyzet (40) €, si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro.
I dëmtuari U.G për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.