29.10.2019 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.SH për shkak se:
Me datë 28.04.2016, në Komunën e Pejës, me anë te paraqitjeve të rreme të fakteve e me qellim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për personin tjetër e ka vënë në lajthim personin duke e nxitë që të kryej një veprim në dëm të pasurisë në atë mënyrë që përderisa deri me datë 15.04.2016 ishte duke punuar në Komunën e Pejës me kontratë mbi vepër si zyrtar për çështje pronësoro-juridike, ka përpiluar vendimin kinse të aprovuar nga Bordi i Drejtoreve të KK-së në Pejë, e pastaj ja ka dërguar për nënshkrim Kryetarit te Komunës së Pejës, të cilin e vë në lajthim, Kryetari pa e kontrolluar, së bashku me disa vendime të tjera, e ka nënshkruar vendimin në fjalë me të cilin vendim një kompanie në Pejë, përveç tjerave, i është njohur e drejta si operator ekonomik kontraktues që sipas kontratës t’i bëhet kompensimi ditor për çdo veturë në shumë prej pesë (5) euro, e mbi bazën e të cilit vendim, operatori ekonomik në fjalë, ka parashtruar kërkesë për ekzekutim, duke tentuar kështu që të dëmtuarës Komuna e Pejës, t’i shkakton dëm material në shumën totale prej katërqind e katërmbëdhjetë mijë e nëntëqind e tetëdhjetë e tetë (414.988,oo) euro, por që ky vendim nuk është ekzekutuar.
Me këto veprime i pandehuri B.SH ka kryer veprën penale mashtrim i mbetur në tentativë nga neni 335 par.3 lidhur me par.1, e lidhur me nenin 28 të KPK-së..
Ndaj të pandehurit gjykata shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej dy (2) vite të cilin dënim i pandehuri nuk do ta vuaj nëse në kohëzgjatje prej një (1) viti nuk kryen vepër të re penale.
I pandehuri u detyrua që gjykatës në emër të paushallit gjyqësorë të ja paguaj shumën prej dyzet (40) euro ndërsa, në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro.
Te dëmtuarit Komuna e Pejës – G.M dhe J.A, për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohen në kontest civil.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.