Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit E.K për falsifikim të parasë

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit E.K për falsifikim të parasë

27 Janar 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.K, për shkak të dyshimit të bazuar se :

I pandehuri E.K:

Me datë 23.01.2021, në dy këmbimore të ndryshme, në Pejë, pasi merren vesh për të vënë në qarkullim para të  falsifikuara dhe duke qenë në dijeni për cilësinë e tyre, i vënë në qarkullim si të vërteta, në atë mënyrë që të njëjtit pasi paraprakisht ishin marrë vesh mes vete, i dyshuari N.G hyn në këmbimore dhe aty këmben kartëmonedha dollarë amerikan të dyshuara si të falsifikuara, për çka të dy këmbimoret në emrin e tij lëshojnë edhe dëftesë mbi blerjen e valutave.

Me këto veprime i pandehuri E.K dyshohet se në bashkëkryerje kishte për të kryer veprën penale falsifikimi i parasë nga neni 296, par. 2, lidhur me nenin 31, të KPRK-së.

Bashkëkryerësit e tjerë gjende ende në arrati ndërsa, të pandehurit E.K i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se në këtë rast janë duke u zhvilluar hetimet edhe ndaj personave të tjerë, e të cilët pritet që të dëgjohen para prokurorit  në cilësinë e të pandehurit si dhe do të dëgjohen dëshmitarët e rastit, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në zhvillimin e drejtë të procedurës hetimore, duke ndikuar në të pandehurit dhe dëshmitarët e me qëllim të zvogëlimit apo përjashtimit të përgjegjësisë penale. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, rrethanat dhe mënyrën e kryerjes së veprës penale, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përsërisë veprën penale apo të kryejnë vepër të re penale.

Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###