29 Janar 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.I dhe për të dy të pandehurit E.I dhe E.N ka caktuar masën alternative paraqitje në Stacion Policor, për shkak të dyshimit të bazuar se:
Të pandehurit E.I dhe E.N:
Më parë në kohë panjohur, e gjer me datë 21.01.2021, në agjencinë turistike, në Pejë, në bashkëkryerje, duke përdorur pajisje kompjuterike përpilojnë dokument të falsifikuar dhe atë rezultatet nga testet laboratorike lidhur me virusin COVID-19, në atë mënyrë që, pasi të pandehurit punojnë në agjencinë turistike dhe ofrojnë shërbime udhëtimi me rastin e paraqitjes së klientëve për blerje të biletave për udhëtim jashtë vendit, këtyre të fundit u kanë propozuar pajisjen me rezultat nga testi PCR për COVID-19 i cili dëshmon për praninë e virusit në trup dhe për këtë kanë përpiluar vetë pa asnjë lloj autorizimi dokumentin e falsifikuar në emër të një laboratori në Pejë, për çka më pas është konfirmuar nga vetë laboratori se dokumentet me rezultatet e tilla nuk janë të lëshuara nga ky laborator,
Me këto veprime të pandehurit E.I dhe E.N kishin për të kryer veprën penale falsifikimi i dokumenteve nga neni 390 par. 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.
Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për të pandehurin E.I erdhi ne përfundim se propozimi i prokurorit për caktimin e paraburgimit është i pa nevojshëm për momentin, për këtë arsye të dy të pandehurve E.I dhe E.I, iu është caktuar masa alternative e paraqitjes në Stacionin Policor në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se të pandehurit e kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen dhe se me gjetjen e mundshme të tyre në liri, të njëjtit mund të fshihen ose të arratisen. Gjyqtari i procedurës parapake i ka shqyrtuar të gjitha bazat e kërkuara nga prokurori i shteti për caktimin e masës më të ashpër atë të paraburgimit për të pandehurin E.I por, ka gjetur se i pandehuri tashmë është dëgjuar në polici, ndërkohë që të gjitha provat materiale të nevojshme tashmë janë konfiskuar e në këtë mënyrë i pandehuri nuk do të mund ta pengoj rrjedhën normale të procedurës apo të përsërisë veprën penale. Andaj, nga të lartcekurat gjykata ka vlerësuar se me masën e paraqitjes në stacionin policorë do të arrihet prania e të pandehurve gjatë gjithë procedurës penale përkatësisht, do të mundësohet rrjedha normale dhe e pa penguar e procedurës në vazhdim.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
###