04 mars 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurve F.L dhe D.L për shkak se:
I pandehuri F.L, me datë 10.10.2020, rreth orës 12:15, në Pejë, me dashje, ka tentuar t’a privojë nga jeta të dëmtuarin M.A, në atë mënyrë që ditën kritike në mëngjes fillimisht i dëmtuari M fjaloset verbalisht me të pandehurin F dhe dëshmitarin N.L, në një lokal në Pejë, për shkak se i pandehuri F e kishte shajtë dajën e të dëmtuarit M, ashtu që po të njëjtën ditë, deri sa dëshmitari N ka qenë duke hy në veturë, ndalohet nga i dëmtuari M i cili e ndalon veturën e tij krahas veturës së të dëmtuarit, del nga vetura për të biseduar me të, ashtu që në ato momente arrin i pandehuri F dhe me të parë të dëmtuarin, afër veturës së tij, nga brezi nxjerr revolen e tij, nga afërsia dhe nga prapa shtie tri herë në drejtim të dëmtuarit, ku me dy plumba kishte goditur atë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore ndërsa, me një predhë e kishte goditur kalimtarin e rastit – viktimën T.Q, në këmbën e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore në regjionin e shputës së këmbës se djathtë.
Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale vrasja në tentativë, nga neni 172, lidhur me nenin 28, të KPRK-së, veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356, par. 4, lidhur me par. 1, të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366, par. 1, të KPRK-së.
I pandehuri D.L
Me dt. 10.10.2020, rreth orës 12:15, në Pejë, ka përdorë forcën ndaj të dëmtuarit M. A, në atë mënyrë që, ditën kritike pasi që i pandehuri D e sheh të dëmtuarin afër dëshmitarit N të cilin e ka djalë të axhës, i afrohet të njëjtit dhe nga pas e godet në kokë me grusht dhe largohet nga vendi i ngjarjes.
Me çka ka kryer veprën penale sulm nga neni 184, par.1, të KPRK-së.
Të pandehurit F.L gjykata i shqiptoj dënimin unik me burg në kohëzgjatje prej një (1) vit e tetë (8) muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, e të cilin dënim me burg i pandehuri do ta vuaj pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm dhe dënim me gjobë në shumë prej tetëqind (800) euro, të cilin dënim do t’a paguaj në afat prej 30 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit e po që se i pandehuri nuk e paguan dënimin me gjobë në afatin e caktuar, dënimi me gjobë i zëvendësohet me dënim me burg e ku një ditë burgu i llogaritet në shumë prej njëzet (20)€.
Të pandehurit iu konfiskua arma si mjet me të cilin është kryer vepra penale dhe u urdhërua që e njëjta të shkatërrohet pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Të pandehurit D.L, gjykata i shqiptoj dënim me gjobë në shumë prej dyqind (200) € e të cilin dënim me gjobë i pandehuri është i obliguar që ta paguaj në afat prej 30 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, e po që se i pandehuri nuk e paguan dënimi n me gjobë në afatin e caktuar, dënimi me gjobë i zëvendësohet me dënim me burg e ku një ditë burgu i llogaritet në shumë prej njëzet (20)€.
Të pandehurit secili veç e veç u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej njëzetepesë (25) euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej njëzetepesë (25) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm.
Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest të rregullt civil.
Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
###