17 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve L.M dhe A.G, për shkak të dyshimit të bazuar se:
Të pandehurit L.M dhe A.G nga data 20.09.2019 e në vazhdimësi deri me datë 09.11.2020, në objektin e K.K, duke vepruar si bashkëkryerës dhe atë i pandehuri L në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, ndërsa i pandehuri A në cilësinë e zyrtarit pranë kësaj drejtorie, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për ndërtim, pa zbatuar ndonjë plan rregullues urban lëshojnë lejen ndërtimore e më pas lëshojnë lejen ndërtimore për mbindërtim, edhe përkundër faktit se për hartat zonale është dhënë pëlqim nga MMPHI-ja, por ende nuk është aprovuar Plani i ri zhvillimor komunal dhe me këtë investitorit i’a mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit. Ndërsa, me datë 04.10.2020, në objektin e K.K, të pandehurit duke vepruar si bashkëkryerës në kundërshtim me Ligjin për ndërtim, dhe Planin Rregullues Urban 01.nr-351-1830/2016, të datës 25.3.2016, lëshojnë lejen ndërtimore në atë mënyrë që, të pandehurit fillimisht investitorit i’a lëshojnë kushtet ndërtimore me te cilat i lejohet ndërtimi i objektit afaristo-banesor në dy llamella e më pas të njëjtit, investitor i’a lëshojnë lejen ndërtimore me te cilën i’a lejojnë rritjen e etazhitetit në llamellen II në 3 kate shtese dhe me këtë investitorit i’a mundëson përfitimin e dobisë pasurore përmes rritjes së etazhitetit dhe sipërfaqes së objektit.
Me çka në bashkëveprim kishin për të kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.
I pandehuri L.M nga data 12.07.2019 e në vazhdimësi gjer me datën 22.04.2020, në objektin e K.K, në cilësinë e drejtorit për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i tejkalon kompetencat e tij, e me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Hekurudhat, në atë mënyrë që, i pandehuri në kuadër të detyrës zyrtare të tij pa qenë, i autorizuar me datën 12.07.2019 nxjerr vendimin me të cilin i kishte lejuar investitorit afrimin e objektit në distancë prej 20 metra largësi nga vija hekurudhore e më pas nxjerr vendimin tjetër duke ndryshuar vendimin e lartcekur dhe duke e zbritur distancën e largësisë nga vija hekurudhore në 17 metra dhe këtë në kundërshtim me Lijgin për Hekurudha e cila përcakton distancën e largësisë prej 25m.
Me çka kishte për të kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 lidhur me par. 1 lidhur me nenin 77 të KPRK-së.
Gjyqtarja e procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit gjeti se kërkesa e tillë duhet të refuzohet pasi që prokuroria e shtetit nuk ka arrit të vërtetoj bazën ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve.
Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë meqë, veprat penale janë kryer në bashkëkryerje dhe në këtë fazë të procedurës ende janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qëllim të identifikimit të provave të reja ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri gjykata vlerëson se të pandehurit lehtësisht mund të asgjësojnë, ndryshojnë apo fshehin provat e veprës penale me qëllim të shmangies apo zvogëlimit të përgjegjësisë së tyre penale apo edhe të koordinojnë mbrojtjen e tyre me njëri – tjetrin pasi që kanë qenë kolegë të punës dhe njihen mirë dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri të njëjtit mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale.
Gjykata sipas detyrës zyrtare shqyrtoj edhe masat e tjera alternative dhe gjeti se masa e arresti shtëpiak, si masë më e butë, është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë dhe në funksion të zhvillimit pa pengesa të procedurës penale dhe se masat tjera me të buta nuk do të ishin adekuate.
Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
###