Njëzeteshtatë (27) vite burgim ndaj të pandehurit B.D për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje

Njëzeteshtatë (27) vite burgim ndaj të pandehurit B.D për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje

06 prill 2022 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.D për shkak se:

Me datë 16.05.2012, rreth orës 14:25, me dashje dhe me armë ka privuar nga jeta dy viktimat, B.P i moshës 27 vjeçare dhe V.P i moshës 32 vjeçare, si dhe ka plagosur rëndë të dëmtuarin N.P i moshës 35 vjeçare, në atë mënyrë që pasi që viktima V.P, martohet me  motrën e të pandehurit,  e cila në atë kohë  ka qenë e martuar me B.T për dy vite dhe pas dy viteve e njëjta martohet me nipin e viktimës V.P, ashtu që për shkak të këtyre martesave raportet acarohen në mes të familjes së të pandehurit dhe familjes së viktimave me ç’rast  ditën kritike përderisa viktimat B,  V dhe  N.P ishin me automjetin e tyre dhe me të arritur te varrezat vërehen nga i pandehuri B dhe i dënuari Sh, i cili ishte duke e drejtuar automjetin, i njëjti e tejkalon automjetin e viktimave duke ju dal përpara dhe bllokuar rrugën, me ç’rast  nga automjeti i viktimave fillimisht del i dëmtuari N.P i cili posa  afrohet të pandehurit B për të biseduar, nga prapa në kokë goditet me bisht të sëpatës nga i dënuari Sh dhe pasi që rrëzohet në tokë, të dëmtuarit N i afrohet i pandehuri B i cili gjuan me revole dy herë në drejtim të tij, duke e plagos në dorë dhe në abdomen, e me pas i pandehuri B gjuan me revole,  ku me një predhë e godet për vdekje në gjoks viktimën B dhe në momentin kur viktima V tenton të ik, i njëjti  goditet me dy predha nga pas nga i pandehuri B.D, ku gjatë rrugës për në spital viktima V ndërron jetë.

Me këto veprime i pandehuri B.D ka kryer vepër penale vrasje  e rëndë nga neni 147 pika 11 të KPPK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 328 par.2 të KPPK-së.

Të pandehurin B.D gjykata e gjykoj me dënimin unik me burgim afatgjatë në kohëzgjatje prej njëzeteshtatë (27) vite, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I pandehuri u obligua që në emër të paushallit gjyqësor, të paguaj shumën prej pesëdhjetë (50) euro dhe në emër të taksës për kompensimin e viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50) euro, të gjitha këto në afat prej 30 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në kontest të rregullt civil.

Të pandehurit masa e paraburgimit i vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit por jo më gjatë se koha e dënimit të shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###