Pejë, 17 tetor 2018 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.B ndërsa, në vend të saj ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për shkak të dyshimit të arsyeshëm se :
Me datë 12.10.2018, në një lokal në Pejë, me dashje dhe në bashkëveprim me një të mitur i shkaktojnë lëndime të lehta trupore dy të dëmtuarve, në atë mënyrë që, pas një mosmarrëveshje të mëparshme, ditën kritike i pandehuri së bashku me të miturin shkojnë në lokal dhe i grushtojnë në pjesë të ndryshme të trupit dy të dëmtuarit me ç’rast të njëjtit kanë pësuar lëndime trupore.”
Me çka i pandehuri A.B dyshohet se ka kryer veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 188 par.1, nënpar.1.4 të KPRK-së
“Me datë 12.10.2018, me dashje dhe në bashkëveprim me të miturin e dëmtojnë një lokal në Pejë në atë mënyrë që, ditën kritike i pandehuri së bashku me të miturin shkojnë në lokal, i godasin të dëmtuarin e lartcekur dhe gjatë përleshjes dëmtojnë inventarin në vlerë prej 500 euro. ”
Me çka i pandehuri A.B dyshohet se ka kryer veprën penale asgjësim apo dëmtim i pasurisë nga neni 333 të KPRK-së
Të pandehurit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, duke filluar nga dita e arrestimit të tij me datë 15.10.2018 deri me datë 15.11.2018.
Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.