Tre vjet burgim dhe njëmijë euro gjobë ndaj të pandehurit T.A për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

Tre vjet burgim dhe njëmijë euro gjobë ndaj të pandehurit T.A për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje

13 korrik 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit T.A për shkak se:

Me datë 21.11.2020, rreth orës 15.30 minuta, afër murit të shtëpisë, me qëllim të zmbrapsjes së sulmit të kundërligjshëm, real dhe të atëçastshëm ndaj personit tjetër, ka tejkaluar kufijtë e mbrojtjes së domosdoshme, në atë mënyrë që deri sa ishte duke i kthyer bagëtitë në shtëpi,  vëren  se këtu i dëmtuari Z.A, së bashku me vëllain e djalin e tij, po përlesheshin me djalin e tij V, që të gjithë këtu dëshmitar, gjegjësisht se të njëjtin e kishin shtrirë në tokë dhe po e goditnin me grushte e shqelma, me ç`rast  ky nxjerr pistoletën nga brezi dhe shtie në drejtim të tyre një herë, si rrjedhojë qëllohet i dëmtuarin Z në pjesën e sipërme të kofshës së këmbës së djathtë, i cili plumb përshkon organet gjenitale dhe pjesën e brendshme të këmbës së majtë, duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të rënda trupore, e pastaj merr V. dhe largohet në drejtim të shtëpisë së tij.

Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme, nga neni 172  lidhur me nenin 28 dhe 12 par.3 të KPRK-së dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit T.A gjykata i shqiptoj DËNIMIN ME BURG në kohëzgjatje prej tre (3) vite, i cili do të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak si dhe DËNIM ME GJOBË në shumë prej njëmijë (1000) €, të cilën gjobë u obligua që ta paguajë në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Nëse i pandehuri nuk e paguan dënimin me gjobë, gjykata mund të zëvendësojë dënimin me gjobë me dënim me burgim ku dënimi me burgim zëvendësohet me dënimin me gjobë ashtu që një (1) ditë burgim llogaritet me njëzet (20) euro gjobë.

I pandehuri u obligua që në emër të shpenzimeve të procedurës penale dhe të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej pesëdhjetë (50) euro si dhe ne emër te programit të kompensimit të viktimave të krimit të paguaj shumën prej tridhjetë (50) euro, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të pandehurit iu konfiskua arma dhe municioni dhe u urdhërua që të njejtat të shkatërrohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike u udhëzua në  kontest  të rregullt civil.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###