Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve D.M dhe A.M, për fajde

Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve D.M dhe A.M, për fajde

17 shtator 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm Penal, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit dhe ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve D.M dhe A.M, për shkak të dyshimit të bazuar se:

E pandehura D.M, me datë 12.09.2021, për vete kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit, i cili paraprakisht nga bashkëshorti i saj kishte marr para borxh për të cilat më pas i kishte paguar të holla në emër të fajdesë ndërsa, më pas e kontakton e pandehura, e cila në emër të fajdesë së bashkëshortit të saj, tani të ndjerë, i kërkon që të vazhdoj me pagimin e fajdesë.

Me çka e pandehura D.M kishte për të kryer vepër penale fajdeja nga neni 331 par. 1 të KPRK-së.

I pandehuri A.M me datë 14.09.2021, kontrakton shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare dhe papërvojën e të dëmtuarit, ashtu që në emër të mikut të tij, tani të ndjerë, kërkon nga i dëmtuari që të vazhdojë me pagimin e fajdesë për çka i dëmtuari e lajmëron menjëherë policinë.

Me çka i pandehuri A.M kishte për të kryer vepër penale fajdeja nga neni 331 par. 1 të KPRK-së.

Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit gjeti se kërkesa e prokurorit për caktimin e paraburgimit është e pabazuar, përkatësisht tepër e ashpër dhe e pa nevojshme për këtë moment.

Gjykata ka vlerësuar se masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej një (1) muaji është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë meqë, ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit i kanë kryer veprat penale që ju vihen në barrë dhe se masa e arrestit shtëpiak do të jetë mjaftë efikase që të pandehurit të mos kenë mundësi të ndikojnë në të dëmtuarit, të përsërisin veprën e njëjtë apo t’a përfundojnë veprën e nisur penale.

Gjykata sipas detyrës zyrtare shqyrtoj edhe masat e tjera alternative dhe gjeti se masa e arresti shtëpiak, si masë më e butë, është e mjaftueshme për sigurimin e prezencës së tyre në procedurë dhe në funksion të zhvillimit pa pengesa të procedurës penale dhe se masat tjera me të buta nuk do të ishin adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###