Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit B.M për vrasje në tentativë

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit B.M për vrasje në tentativë

3 nëntor 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.M, për shkak të dyshimit të bazuar se :

Me datën 16.08.2021 rreth orës 00:05, në bashkëkryerje me të pandehurit T.M tentojnë ta privojnë personin tjetër nga jeta, këtu të dëmtuarin D.E, në atë mënyrë që natën kritikë gjersa i dëmtuari ishte duke ecur rrugës në këmbë, në shenjë hakmarrjeje për një rast që kishte ndodhur më herët, të pandehurit të pajisur me sende të rrezikshme në duar, e sulmojnë fizikisht duke e goditur me çekan në kraharorë dhe kokë dhe nga prapa e godasin disa herë me revole në kokë dhe pasi i vërejnë kalimtarët e rastit ikin nga vendi i ngjarjes.

Me këto veprime të pandehuri B.M dhe T.M kishin për të kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë  nga neni 172 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së.

Të pandehurit B.M i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti e ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet. I pandehuri, që nga data e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati dhe është arrestuar sipas urdhër arrestit andaj, duke e pas parasysh këtë rrethanë si dhe peshën e veprës penale për të cilën parashihet dënim jo më pak se pesë (5) vjet burgim, mënyra dhe rrethana e kryerjes së veprës penale dhe faktin se bëhet fjalë për recidivist, gjykata ka vlerësuar se ekziston rreziku real që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të arratiset, të ndikoj në dëshmitarë dhe në të dëmtuarin apo të përfundoj veprën e nisur penale ose të kryejë vepër të re penale.

I bashkëpandehuri T.M, ende gjendet në arrati dhe për të njëjtin gjykata ka lëshuar urdhër arrest.

Gjykata sipas detyrës zyrtare  vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit B.M në procedurë mirëpo, gjeti se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###