Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit E.D për fajde

Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit E.D për fajde

4 mars 2022 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.D, i dyshuar për vepër penale fajdeja nga neni 331 par.3 lidhur me nenin 31 dhe 77 të KPRK-së.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë bëhet fjalë për vepër të rëndë penale, ku për vepër penale fajdeja nga neni 331 par.3 të KPK-së është paraparë dënimi e burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet gjithashtu, duke i pas parasysh karakteristikat personale të pandehurit, sjelljen e tij të mëparshme, faktin se janë identifikuar viktima të tjera të veprave penale të kryera nga i pandehuri dhe janë duke u grumbulluar prova dhe dëshmi të tjera brenda dhe jashtë vendit si dhe duke pas parasysh faktin se i njëjti është arrestuar në Aeroportin e Prishtinës  duke u kthyer nga një shtet i huaj, të gjitha këto rrethana janë të mjaftueshme për të besuar se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ose nën çfarëdo mase tjetër më të butë, ekziston rreziku i lartë se në çfarëdo mënyre do të fshihet dhe do t’iu shmangen organeve të ndjekjes, do të ndikoj në viktimat e rastit, do të shkatërroj provat apo edhe të përfundoj veprat për të cilat është kërcënuar apo do t’i përsëris veprat e njëjta penale.

 Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###