Gjashtë (6) vite burgim dhe dymijë (2.000) euro gjobë ndaj D.P për fajde dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

Gjashtë (6) vite burgim dhe dymijë (2.000) euro gjobë ndaj D.P për fajde dhe pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare

31 Tetor 2021 – Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit D.P për shkak se:

  1. Nga muaji Janar 2019 e në vazhdimësi deri me datën 13.04.2021 në P., për vete kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër dhe atë të dëmtuarin M.B, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të te njëjtit, e cila rezulton me humbje financiare prej 60.000€ në atë mënyrë që, pasi të dëmtuarit i rëndohet gjendja financiare, kjo situatë shfrytëzohet nga këtu i pandehuri i cili kontrakton me të dëmtuarin duke i dhënë një veturë të markës B. në vlerë prej 17.000€ kinse për të dal nga kjo situatë, mirëpo të dëmtuarit për shkak të pandemisë Covid19 i rëndohet edhe më shumë gjendja financiare pas marrjes së vendimeve të Qeverisë për kufizimin e punës së restoranteve ashtu që ky i fundit, për veturën e lartcekur, për dy vite çdo muaj në emër të fajdesë paguan nga 2.000€, me vlerë të përgjithshme 48.000€, ndërsa në vitin 2021 në emër të fajdesë paguan katër herë nga 500€ dhe në fund me datën 13.04.2021 prapë në emër të fajdesë paguan edhe 10.000€ nga blerja e simuluar, për çka i pandehuri ka realizuar dobi pasurore në vlerë prej 50.000€ pa e llogaritur vlerën e veturës dhe përsëri i’a kërkon edhe 50.000€ në emër të fajdesë për shkak të vonesës së pagesave nga i dëmtuari, ku më pas i njëjti arrestohet nga Policia e Kosovës,

me çka ka kryer vepër penale fajdeja nga neni 331 par. 3 e lidhur me par. 1 dhe nenin 77 të KPRK-së.

  1. Me datë 13.04.2021, rreth orës 17:40, në fshatin V. Komuna P., pengon personin zyrtar – policin të dëmtuarin Sh.T, përderisa ishte duke kryer detyrën zyrtare, në atë mënyrë që, përderisa i dëmtuari ditën kritike ishte i angazhuar për sigurinë dhe vëzhgimin e të dëmtuarit dhe të pandehurit, përderisa pritej të zbatohen masat e fshehta teknike e hetimit dhe vëzhgimit sipas urdhrit të gjykatës, me ç ‘rast ky i fundit, me ta vërejtur se është nën vëzhgimin e policisë, reagon menjëherë duke drejtuar veturën në mënyrë të vrullshme edhe përkundër sinjalizimeve nga ana e të dëmtuarit që të ndalet, ky i fundit goditet me veturë nga i pandehuri, ku si pasojë e goditjes të njëjtit i shkakton lëndime të lehta trupore me dëmtim të përkohshëm në shëndet dhe atë: ndrydhje të indeve të buta të regjionit të parakrahut të dorës së djathtë dhe trupit.
  • me çka ka kryer vepër penale pengim  i personit  zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtarenga neni 401 par.5 e lidhur me par. 1 të KPRK-së

Andaj gjykata të pandehurit i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë (6) vite në të cilin dënim i llogarite edhe koha e kaluar në paraburgim si dhe dënimi me gjobë ne shumen prej dymijë (2.000€) euro, të cilat dënime do të ekzekutohen  më së largu në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Në qoftë se i pandehuri dënimin me gjobë të cekur më lartë nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj në afatin e caktuar atëherë dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet në dënim me burg ku një ditë burg do t’i llogaritet për çdo 20 euro të gjobës.

I pandehuri D.P është obliguar që të paguaj në emër të shpenzimeve të procedurës penale shumen prej  dyqindepesëdhjetë (250€) euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej njëqind (100 €) euro,  si dhe  në emër të kompensimit të viktimave të krimit shumën prej pesëdhjetë (50 €) euro, të gjitha këto në afat prej 15 ditëve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

I pandehuri D.P është obliguar që  të dëmtuarit  M.B, t’ia kthej shumën prej pesëdhjetëmijë (50.000 €) euro në emër të dëmit të shkaktuar, përtej shumës së gjykuar i dëmtuari  udhëzohet në kontest civil.

Palët  e  dëmtuara SH.T dhe V.O udhëzohen në  kontest  të  rregullt  civil.

I pandehuri D.P  u lirua nga aktakuza për shkak se:

III. Me datë 13.04.2021, rreth orës 17:41, në fshatin V. Komuna P., me veprime të rrezikshme shkakton rrezik të madh për jetën e njerëzve dhe atë të dëmtuarit/zyrtarit policor V.O si dhe zyrtarëve policor të tjerë, në atë mënyrë që derisa i pandehuri ishte nën vëzhgim nga njësitet policore dhe pas ndërmarrjes së veprimeve siç janë përshkruar në dispozitivin nr. II, i njëjti duke lëvizur me veturë në mënyrë të pakontrolluar vë në rrezik jetën dhe trupin e të dëmtuarit në fjalë, e këtë me qëllim që t’i ik organeve policore.

-me çka ka kishte për të kryer vepër penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 par. 1 të KPRK-së

Të pandehurit D.P  i caktohet  masa e  paraburgimit  e  cila   do te zgjas  deri ne plotfuqishmëri  të aktgjykimit  por jo më gjatë se dënimi  i shqiptuar.

Kundër këtij aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

###